Secondary Adv

Popullsia mbi 65 vjeç, Shqipëria me rritjen më të fortë në Europë nga 2015 në 2025

Pesha e të moshuarve mbi 65 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune është rritur me 15.1 pikë përqindjeje në një dekadë, ritmi më i lartë në Europë.

Rritja më e shpejtë në kontinent

Shqipëria po përballet me një përshpejtim të fortë të plakjes së popullsisë, teksa grup-mosha mbi 65 vjeç po rritet ndjeshëm në raport me popullsinë në moshë pune (15–64 vjeç). Të dhënat më të fundit të Eurostat për periudhën 2015–2025 e rendisin vendin në krye të Europës për rritjen më të madhe të kësaj peshe.

 

Në vitin 2015, popullsia mbi 65 vjeç përbënte rreth 18.2% të forcës së punës, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nga vendet relativisht të reja krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian apo me shtete si Italia dhe Gjermania. Në vitin 2025, kjo peshë ka arritur në 33.3% të popullsisë në moshë pune.

 

Brenda një dekade, raporti i të moshuarve ndaj forcës së punës është rritur me 15.1 pikë përqindjeje, niveli më i lartë i regjistruar në kontinent. Edhe vende si Moldavia dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje të ndjeshme, përkatësisht 14.1 dhe 10.7 pikë përqindjeje, por mbeten pas Shqipërisë.

 

Mosha mediane u rrit me 9.6 vite

Plakja e përshpejtuar reflektohet edhe në rritjen e moshës mediane të popullsisë. Në vitin 2015, mosha mediane ishte 34.7 vjeç, që do të thotë se gjysma e popullsisë ishte më e re se kjo moshë. Në vitin 2025, mosha mediane ka arritur në 44.3 vjeç, duke treguar një rritje prej 9.6 vitesh brenda vetëm një dekade.

 

Për krahasim, mesatarja europiane në të njëjtën periudhë u rrit me vetëm 2.1 vite. Ndërsa shumë vende të BE-së e kanë kaluar procesin e plakjes gradualisht gjatë dekadave, Shqipëria e ka përjetuar këtë transformim me ritme shumë më të shpejta.

 

Emigrimi dhe rënia e lindshmërisë

Ky ndryshim i thellë demografik lidhet me emigrimin e vazhdueshëm të moshave të reja dhe me rënien e lindshmërisë. Ndryshe nga vende si Suedia apo Luksemburgu, ku plakja ndodh në mënyrë më të kontrolluar dhe mbështetet nga struktura të forta ekonomike, Shqipëria po përballet me këtë tranzicion pa pasur të njëjtat kapacitete financiare dhe sociale.

 

Të dhënat tregojnë se vendi nuk është më ndër popullsitë më të reja të kontinentit, por po afrohet me strukturën demografike të vendeve më të vjetra europiane. Kjo situatë rrit presionin mbi tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe shërbimet shëndetësore, duke e kthyer çështjen demografike në një sfidë prioritare për politikat publike në vitet në vijim.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat